Me Dënimin e Hamid Noury-t, Është Koha Për t’i Kërkuar Llogari të Gjithë Regjimit Vrasës të Iranit
Shkruar nga Shahriar Kia
Të enjten, më 14 korrik, një gjykatë në Suedi dënoi Hamid Noury-n me burgim të përjetshëm për rolin e tij në masakrën e vitit 1988 ndaj mbi 30,000 të burgosurve politikë, kryesisht anëtarë të Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK). Gjykata suedeze zhvilloi 9 ditë seanca në Shqipëri, në Gjykatën e Durrësit, për të dëgjuar dëshmitë e anëtarëve të Muxhahedinëve iranianë që banojnë në Ashraf 3, në Manzë.
Noury ishte një zyrtar në burgun Gohardasht në Karaj, në perëndim të Teheranit. Gjatë gjyqit të tij, të mbijetuar të masakrës së 1988-ës treguan rrëfime rrëqethëse të asaj që dëshmuan në birucat e regjimit, veçanërisht gjatë atyre ditëve të errëta të 1988-ës.
Dënimi i Noury-t lumturoi dhjetëra mijëra iranianë, të cilët kanë vuajtur për dyzet vjet për shkak të krizës së mosndëshkimit në Iran, e cila i ka lejuar zyrtarët e regjimit të vazhdojnë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe të shpërblehen në vend që t’iu kërkohet llogari.
Por dënimi i Noury-t ishte me të vërtetë një lajm i hidhur për regjimin dhe zyrtarët e tij. Nasser Kanani, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të regjimit, protestoi kundër dënimit të Noury. “Zoti Noury ka kaluar 30 muaj në izolim dhe është privuar nga kujdesi i duhur mjekësor. Si rezultat, ai nuk mundi as të lexonte vendimin e gjykatës,” deklaroi paturpësisht Kanani më 14 korrik, siç citohet nga shtetërorja Hamshahri Online.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e shtetit që mban rekordin botëror të varjeve për frymë ankohen për shkeljen e “të drejtave të njeriut” të Noury-t!
Kanani iu shmang temës së masakrës së vitit 1988 dhe se si një fetva e liderit suprem të atëhershëm të regjimit i lejoi të ashtuquajturit “Komisionet e Vdekjes” të vulosnin në pak minuta fatin e dhjetëra mijëra njerëzve pas shumë vitesh burgim dhe tortura, dhe ndërsa iu privua të paturit një avokat.
Megjithatë, Noury-t iu bë një gjyq i drejtë, nuk u torturua dhe pati orë të tëra në gjyq për të përsëritur akuzat e regjimit kundër opozitës dhe për të mbrojtur kriminelë si Khomeini dhe presidenti aktual i regjimit, Ebrahim Raisi, i cili ishte anëtar i komisionit të vdekjes në Teheran në vitin 1988.
Kjo e fundit u theksua nga zoti Kenneth Leëis, i cili përfaqësoi dhjetëra anëtarë dhe mbështetës të MEK gjatë gjyqit të Noury-t në një tubim të mbajtur nga mbështetësit e Rezistencës Iraniane në Stokholm të shtunën.
“Ndryshe nga Noury, i cili kishte dy avokatë gjatë 92 ditëve të gjyqeve, viktimat nuk kishin avokatë dhe gjyqet e tyre zgjatnin vetëm disa minuta para se të dërgoheshin drejt vdekjes,” tha Leëis.
Përveç kësaj, regjimi iranian flet për të drejtat e njeriut, ndërsa që kur Raisi u bë president i tij, numri i ekzekutimeve është rritur në mënyrë dramatike. Midis 6 dhe 13 korrikut, Teherani vari 25 të burgosur. Sipas burimeve të pavarura, si Monitoruesi i të Drejtave Njerëzore në Iran (Iran HRM), të paktën 193 të burgosur janë ekzekutuar në Iran që nga fillimi i vitit 2022 deri në qershor.
Rritja e numrit të varjeve në Iran pasohet nga trajtime të tjera çnjerëzore, si prerja e duarve dhe amputimi i gjymtyrëve, arrestimet arbitrare, rrahja publike me kamxhik dhe sulmimi i grave në rrugë me pretekstin e promovimit të virtytit dhe parandalimit të veseve.
Ajo që i inkurajon zyrtarët e regjimit të flasin hapur dhe paturpësisht për të drejtat e njeriut dhe të kërcënojnë fuqitë perëndimore është qasja e dobët e këtyre të fundit ndaj regjimit, duke krijuar krizën e mosndëshkimit në Iran.
Kur Raisi u bë president i regjimit në qershor 2022, Amnesty International e përshkroi atë si një “kujtesë të zymtë se pandëshkueshmëria ka pushtet absolut në Iran”.
Në një letër të botuar në shtator 2020, shtatë ekspertë të OKB-së nënvizuan se dështimi i organeve të OKB-së për të vepruar mbi masakrën e vitit 1988 ka “patur një ndikim shkatërrimtar tek të mbijetuarit dhe familjet” dhe “i inkurajoi” autoritetet iraniane të “fshehin fatin e viktimave dhe të mbajnë një strategji devijimi dhe mohimi.”
Arrestimi, gjyqi dhe dënimi i Noury-t, i cili ndodhi në kontekstin e “juridiksionit universal”, mund të krijojë një precedent dhe të lejojë vendet e tjera perëndimore t’u kërkojnë llogari zyrtarëve iranianë të përfshirë në vrasje masive.
Siç theksoi Amnesty International më 15 korrik, vendimi i gjykatës i së enjtes “dërgon një mesazh të qartë dhe të vonuar për autoritetet iraniane se ata që janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit në Iran nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë”.
“Ky vendim kritik duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për komunitetin ndërkombëtar që të trajtojë krizën e mosndëshkimit që mbizotëron në Iran,” shtoi Amnesty.
Për më tepër, Raportuesi Special për situatën e të drejtave të njeriut në Iran, Javaid Rehman, u kërkoi shteteve të tjera “të ndërmarrin hetime të ngjashme dhe ndjekje penale të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në Iran duke përdorur parimet e juridiksionit universal”. Michelle Bachelet, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, u bëri thirrje vendeve të tjera që “të përdorin juridiksionin universal për të kapërcyer hendekun e llogaridhënies për krimet e rënda dhe për të garantuar të vërtetën dhe drejtësinë”.
Tani topi është në fushën e fuqive perëndimore. Ka ardhur koha që perëndimorët t’u përmbahen plotësisht vlerave të të drejtave të njeriut që ata i çmojnë dhe t’i kërkojnë llogari regjimit vrasës të Iranit.
Siç theksoi të enjten zonja Maryam Rajavi, liderja e opozitës iraniane, dënimi i Noury-t ishte “hapi i parë në rrugën drejt drejtësisë së plotë” dhe “se ndjekja penale e [udhëheqësit suprem të regjimit Ali] Khamenei dhe e Raisit tani është më e domosdoshme se kurrë. ”