Friday, March 29, 2024

Iran: Për Paturpësinë e Noury-t në Gjyqin Suedez Duhet Fajësuar Kultura e Pandëshkueshmërisë

hamid-noury-ebrahim-raisi-iran-executionsNë dëshminë e dhënë gjatë tre ditëve, duke nisur nga 23 nëntori 2021, në një sallë gjyqi në Stokholm, Hamid Noury, një roje burgu i ngritur në detyrën e “ndihmës prokurorit publik” në burgjet politike, i cili ka shërbyer si hetues dhe ekzekutues në disa prej burgjeve më famëkeqe e të tmerrshme të Iranit, ka nxjerrë pa dashje shumë të vërteta në gjyqin e tij për krime kundër njerëzimit.

Rreth 20 ish të burgosur politikë kanë dëshmuar për përfshirjen e tij të thellë në masakrën e vitit 1988 që nga muaji gusht, dhe qindra të tjerë kanë marrë pjesë në tubime e konferenca njëkohësisht me çdo seancë të gjyqit.

Edhe pse Noury e ka mohuar verbalisht fajësinë, nënteksti i komenteve që ai ka bërë në gjykatë mund të konsiderohet lehtësisht si një pranim i heshtur i fajit. Ish-zyrtari i burgut të Gohardashtit bëri përpjekje të dëshpëruara për ta mohuar vetë ekzistencën e atij burgu, për të mohuar se ai ka qenë në detyrë gjatë periudhës në fjalë dhe se ekzekutimet janë bërë në përmasat e dyshuara. Asnjë nga këto pretendime nuk mund të merret seriozisht në dritën e provave të pamohueshme.

Pjesa kryesore e “dëshmisë” së Noury-t, e dhënë pa asnjë keqardhje, konsistonte në sulme dashakeqe ndaj Mujahedin-e Khalq (MEK). Noury përsëriti një sërë akuzash të rreme, shpesh të përsëritura e të shpërndara kundër MEK-ut nga një mori agjentësh të paguar të regjimit për të cilin ai punon, gjatë dekadave të fundit.

Ngjashmëria midis gënjeshtrave të Noury-t dhe këtyre pretendimeve ripohon se burimi i të gjitha këtyre gënjeshtrave dhe pretendimeve absurde gjendet te Ministria e Inteligjencës dhe Sigurimit (MOIS) e regjimit iranian dhe aparati i tij propagandistik shtypës.

Hamid Noury tha se, edhe sikur ai thjesht ta përmendë PMOI-në me emrin e saj zyrtar dhe jo me emrin poshtërues që parapëlqen regjimi, ai do të arrestohej pas kthimit në Iran. Ai theksoi se gjyqësori dhe kreu i tij nuk bëjnë shaka, dhe pavarësisht se i ka shërbyer regjimit për 10 vite në sistemin e burgjeve, ai sërish do të rrezikohej. Me këtë, ai dëshmon pa dashje për mbështetjen që MEK gëzon në shoqërinë iraniane dhe për paranojën e frikën që kjo organizatë ngjall te sundimtarët vrasës të Iranit.

Mbi 30,000 të burgosur politikë u ekzekutuan gjatë rreth tre muajve mbi bazën e urdhrit të dhënë nga Ruhollah Khomeini që regjimi t’i “asgjësonte menjëherë armiqtë e Islamit”. Kjo shifër nuk vihet në dyshim me seriozitet, megjithëse të paktën një dëshmitar i masakrës ka lëshuar një deklaratë gjatë gjyqit të Noury-t, ku sugjeronte se numri i vërtetë i vdekjeve mund të jetë edhe më i lartë.

Numri i vdekjeve mund të jetë shumë më i lartë, pasi në disa burgje, “komisionet e vdekjes” kanë boshatisur pavijone të tëra, duke mos lënë askënd që të mund të llogariste se sa njerëz janë marrë për t’u varrosur në varre masive të fshehta.

Duke i turbulluar edhe më shumë ujërat, Teherani ka urdhëruar një sërë projektesh ndërtimi në tokat e këtyre varreve masive, si pjesë e një përpjekjeje për të fshehur provat, e cila konsiston gjithashtu në ngacmimet rutinë ndaj të afërmve të viktimave që ende jetojnë brenda Iranit. Kjo fshehje e provave e bën të domosdoshme që komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë duke nisur hetime të gjera lidhur me masakrën dhe autorët e saj. Vitet e fundit, këtyre thirrjeve për veprim u është bërë jehonë nga Amnesty International dhe ekspertë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.