Thursday, March 28, 2024

Hamid Noury në Seancën e Tij Gjyqësore të 86-të: Vetëm Atyre që Bashkëpunonin u Jepej Liridalje 

hamid-noury-ebrahim-raisi-iran-executionsTë enjten, më 21 prill, në Gjykatën e Stokholmit ku po gjykohet aktualisht Hamid Noury, ish-roje burgu i akuzuar për pjesëmarrje në ekzekutimin e të burgosurve politikë në verën e vitit 1988 në burgun e Gohardashtit, u zhvillua seanca e 86-të ku u bë një ekzaminim i jashtëzakonshëm i të pandehurit. Ashtu si edhe në seancat e tjera të mbrojtjes gjatë muajve të fundit, në këtë seancë morën pjesë edhe familja e tij, përfshirë gruan, vajzën, nusen, djalin dhe dhëndrin.

Këtë marrje në pyetje e kishin kërkuar prokurorët, të cilët i ofruan gjykatës prova audio dhe video të njohura si “Protokolli 16”. Një nga prokurorët shpjegoi se si hetuesit ishin përpjekur shumë për të siguruar një pjesë të përmbajtjes audio dhe video nga telefoni i të pandehurit, duke aksesuar provat që Hamid Noury i kishte fshirë një natë përpara se të udhëtonte drejt Suedisë.

Disa nga provat përfshinin një bisedë midis gruas dhe vajzës së Hamid Noury-t, një natë para largimit të tij nga Irani dhe arrestimit në po të njëjtën ditë në aeroportin Arlanda të Stokholmit. Në këtë bisedë, gruaja e Hamid Noury-t pyet të bijën për vendndodhjen e babait të saj dhe vajza i përgjigjet se ai dhe Massoud (dhëndri i Noury-t) ishin në dhomën tjetër, duke fshirë të dhënat e tyre telefonike përpara udhëtimit për në Suedi.

Dokumentet video të Protokollit 16 janë në fakt screenshot-e të fshira, përfshirë numrat e telefonit të zyrtarëve shtetërorë dhe vendndodhje kyçe në Iran. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e informacionit të fshirë përfshin informacione për ish-shefin e tij në burgun e Gohardashtit, Mohammad Moghiseh, anëtarët e familjes së Moghiseh dhe veçanërisht për truprojat e tij.

Duke i shpjeguar prokurorit në lidhje me informacionin e fshirë, Hamid Noury tha: “Kisha në plan të takohesha me zotin Heresh Sadegh Ayoubi (ish-burri i thjeshtrës së Hamid Noury-t). Ai ishte një person që ndërhynte. I fshiva numrat që mendoja se ai mund të kishte telefonuar dhe disa prej tyre punonin në burgun Evin. Do të doja të mos i kisha regjistruar fare këto numra, zonja prokurore. Sepse paditësit në këtë rast janë armiqtë e mi dhe armiqtë e Iranit.”

Duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit se pse ai udhëtoi drejt Suedisë, ndërkohë që e dinte se do të futej në telashe me Hereshin, i pandehuri tha se kishte respekt për gruan e Hereshit, thjeshtrën e tij.

Duke iu drejtuar gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatës, Hamid Noury tha: “Të jeni të sigurt që kur të largohem nga ky vend, do të kem numrat e të gjithë avokatëve, prokurorëve, policëve dhe të gjithë të tjerëve. Veçanërisht numrin e telefonit të zotit Kenneth Leëis.”

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Kenneth Leëis, avokat i disa paditësve që janë anëtarë të Mujahedin-e-Khalq (PMOI/MEK), Noury pohoi: “Këta njerëz e kanë sajuar bisedën time me Moghiseh. Ata kanë edituar disa pjesë së bashku. Kjo është diçka që klientët dinë ta bëjnë mirë.”

Noury e mohoi se ishte takuar me Mohammad Moghiseh përpara se të largohej nga Irani, pavarësisht se e kishte konfirmuar vetë këtë gjë.

Më 15 nëntor 2019, Komisioni i Sigurisë dhe Antiterrorizmit i NCRI publikoi një regjistrim sekret nga hetuesi dhe torturuesi Mohammad Moghiseh (i njohur ndryshe si Naserian) që vërtetonte se si Moghiseh ishte përpjekur ta bindte Noury-n që të mos shkonte në Suedi, disa ditë përpara udhëtimit të tij, duke e paralajmëruar atë se do të arrestohej. Moghiseh theksonte se policia, aparati i inteligjencës dhe gjykata në Suedi ishin tashmë në dijeni të vendndodhjes së Noury-t përmes një piloti iranian (ish-burri i thjeshtrës së Hamid Noury-t, Heresh Sadegh Ayoubi).

I pyetur se kujt i përket emri ‘Raisi’ në librin e tij të adresave, i pandehuri shpjegoi se nuk ka të bëjë me presidentin e regjimit iranian Ebrahim Raisi, por i përkiste “Ata Raisi”-t, kolegut të tij nga burgu Evin.

Duke nënvizuar se kishte 15 numra telefoni të zyrtarëve në burgun e Evinit, krahasuar me dhjetë numrat e telefonit të zyrtarëve të tjerë në burgun e Gohardashtit, Kenneth Leëis i kërkoi të pandehurit të shpjegonte komunikimet e tij pasi ai kishte pretenduar se kishte punuar vetëm në burgun e Evinit dhe nuk kishte punuar kurrë në burgun e Gohardashtit. Si përgjigje, Noury tha se ai kishte vizituar burgun e Gohardashtit dhe kishte krijuar miqësi gjatë 10 viteve të fundit.

I pandehuri theksoi se zyrtarët e burgut u jepnin liridalje nga burgu vetëm ‘të penduarve’, atyre që kishin hequr dorë nga besimet e tyre, kishin zgjedhur të pendoheshin dhe të bashkëpunonin me zyrtarët e burgut.

Duke iu përgjigjur avokatit të tij, Hamid Noury tha: “Zakonisht unë isha përgjegjës për dhënien e liridaljes për të burgosurit. A e dini se kujt i jepnim liridalje nga burgu? Vetëm të burgosurve që pendoheshin dhe bashkëpunonin me ne. Ata ishin të vetmit që ne mund t’i jepnim leje. Ata vinin dhe raportonin mbi repartet e tyre, raportonin miqtë e tyre, na ndihmonin dhe prandaj ne i ndihmonim dhe u jepnim stimuj. Ne i jepnim atyre liridalje, por vetëm të penduarve. A iu përgjigja pyetjes suaj?”

Seanca e radhës do të mbahet të hënën më 25 prill në Stokholm.