Fjalimi për Iranin ofron një paraqitje të shkurtër të politikës së jashtme të Pence

589

23 qershor 2022

Pence kritikon si të dobët politikën “katastrofike” të Biden ndaj Iranit

Ish-zëvendës presidenti i SHBA, Mike Pence flet në selinë e opozitës iraniane në Shqipëri, ku rreth 3,000 anëtarë të MEK banojnë në kampin Ashraf-3 në qytetin Manza, rreth 30 kilometra (16 milje) në perëndim të Tiranës, Shqipëri, të enjten, më 23 qershor 2022.

Nga Guy Taylor – The Washington Times – Përditësuar: 6:26 mbasdite, të enjten, 23 qershor, 2022

Ish-zëvendës presidenti Mike Pence kritikoi ashpër atë që ai e quajti “dobësi” të administratës së Biden në politikën e jashtme të enjten, duke sulmuar “tërheqjen katastrofike të administratës nga Afganistani” dhe duke argumentuar se “paqësimi” i Iranit nga Shtëpia e Bardhë po jep efektin e kundërt.

Në një fjalim drejtuar organizatës së shquar iraniane në mërgim, e cila lobon për ndryshimin e regjimit dhe që kishte simpatizues në administratën Trump, zoti Pence ofroi një paraqitje të shkurtër se si do të duket politika e tij e jashtme nëse kandidon për president në 2024.

“Paqja është e mundur vetëm përmes forcës,” u shpreh ish-zëvendës presidenti, duke thënë se zoti Biden ka nxitur destabilitet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, pasi “kundërshtarët e lirisë po ndjejnë dobësi në administratën amerikane” dhe “kanë marrë guxim të vënë në provë vendosmërinë tonë.”

Ndërsa theksoi se presidenti rus Vladimir Putin është përgjegjës – dhe “duhet të mbahet përgjegjës” – për pushtimin e Ukrainës, zoti Pence pohoi se lëvizjet e pamend të politikës së jashtme nga administrata Biden e kanë përkeqësuar krizën.

“Nuk ka dyshim se përulja ndaj regjimit në Teheran, rihapja e gazsjellësit Nord Stream 2 drejt Rusisë, dhe tërheqja katastrofike nga Afganistani kanë dërguar një mesazh që i ka inkurajuar ata që janë të gatshëm të përdorin dhunën për të realizuar qëllimet e tyre politike, ” tha ai. “Dobësia ngjall të keqen dhe e keqja në rritje në Iran dhe në mbarë botën flet për dobësinë e shfaqur nga administrata aktuale amerikane.”

Zoti Pence, i cili u nda nga Presidenti Trump pas zgjedhjeve të 2020-ës, udhëtoi për në Shqipëri për të folur në selinë e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit. Grupi disident iranian njihet gjithashtu si Mujahedin-e Khalq (MEK) dhe pretendon se ka një rrjet të gjerë operativësh.

Vizita e zotit Pence erdhi afërsisht një muaj pas një vizite të ngjashme nga ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në selinë e MEK. John R. Bolton, i cili ka qenë për disa kohë këshilltari për sigurinë kombëtare i Presidentit Trump, dhe ish-avokati personal i Trump, Rudolph W. Giuliani, janë ndër ata që gjithashtu kanë folur në tubimet e MEK dhe kanë bërë thirrje për ndryshimin e regjimit në Teheran.

Presidenti Trump nuk e ka miratuar kurrë publikisht këtë politikë. Megjithatë, ai mbajti një qëndrim të ashpër kundër Teheranit duke hedhur poshtë marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2018, duke rivendosur sanksione të ashpra ndaj ekonomisë së Iranit dhe duke autorizuar sulmin me dron të SHBA-së në vitin 2020 që vrau komandantin e lartë ushtarak iranian, gjeneralin Qassem Soleimani.

Administrata Biden ka ndryshuar pjesërisht kursin, duke u përpjekur për 18 muajt e fundit të rivendosë marrëveshjen bërthamore, e cila kishte hequr sanksionet ndaj Iranit në këmbim të një premtimi për kufizime në programin e tij bërthamor. Mbështetësit e marrëveshjes së vitit 2015 thonë se Irani vetëm sa i është afruar posedimit të armëve bërthamore që kur SHBA u largua nga marrëveshja.

Por përpjekjet e zotit Biden për të ribalancuar marrëdhëniet janë përballur me kundërshtim dypartiak në Kongres, duke përfshirë edhe demokratë të shquar si Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Robert Menendez.

  1. Pence mbajti një qëndrim edhe më të ashpër të enjten, duke pohuar se “paqësimi nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë kurrë” dhe se administrata bën gabim të “përqafojë sërish” një marrëveshje që sipas tij i ka dhënë regjimit iranian para nga lehtësimi i sanksioneve, ndërkohë që ka dështuar në adresimin e mbështetjes së regjimit për terrorizmin.

“Një marrëveshje e rinovuar bërthamore me Iranin nuk do të çojë në paqe dhe stabilitet. Do të çojë në më shumë terrorizëm, vdekje dhe shkatërrim”, tha zoti Pence. “[Ajo] nuk do ta bllokojë rrugën e Iranit drejt një bombe bërthamore por do t’ia shtrojë rrugën në ar dhe një marrëveshje e rinovuar bërthamore me Iranin nuk do t’i sjellë dobi popullit të Iranit në asnjë mënyrë. Ajo thjesht do të fuqizojë dhe pasurojë një regjim të korruptuar që ka torturuar popullin iranian për breza të tërë.

“Ne i bëjmë thirrje administratës Biden ta përkrahë popullin e Iranit, të ngrihet për kauzën e lirisë dhe drejtësisë … të tërhiqet menjëherë nga të gjitha negociatat bërthamore me Teheranin, të shprehë mbështetje për opozitën e organizuar në Iran dhe ta bëjë të qartë se Amerika dhe aleatët tanë nuk do të lejojnë kurrë regjimin në Teheran të posedojë një armë bërthamore.”