Wednesday, February 8, 2023

Festimi i Novruzit në Solidaritet me Popullin dhe Rezistencën Iraniane

 

Konferencë online me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të zgjedhur të Francës si dhe personaliteteve shoqërore e politike – Auvers-Sur-Oise

Maryam Rajavi: Shoqëria iraniane është si një fuçi baruti që pret të shpërthejë në çdo moment
Iranianët do ta bojkotojnë farsën e zgjedhjeve presidenciale, dhe do të kërkojnë një republikë të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Të shtunën, 27 mars 2021, u zhvillua një konferencë online për të shënuar Vitin e Ri iranian në solidaritet me popullin e Iranit. Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), foli përpara kësaj konference nga rezidenca e saj në Paris. Në konferencë ishin pjesëmarrës dhjetëra zyrtarë të zgjedhur e personalitete të Francës.

Mes folësve e pjesëmarrësve ishin: Gilbert Mitterrand, President i Fondacionit Mitterrand dhe ish-anëtar i Asemblesë Kombëtare të Francës, Michèle Alliot-Marie, ish-Ministre e Jashtme, e Brendshme, dhe e Mbrojtjes e Francës; Rama Yade, ish Zëvendës Ministre për të Drejtat e Njeriut në Francë, Alain Vivienne, ish Zëvendës Ministër i Jashtëm i Francës, Ipeshkvi Jacques Gaillot, Yves Bonnet, ish-guvernator dhe kreu i Shërbimeve franceze të Sigurisë, Jean-Pierre Béquet, ish-kryebashkiak i Auvers-sur-Oise; Jean François Legaret, ish-kryebashkiak i distriktit të parë të Parisit, si dhe dhjetëra personalitete të tjera franceze e mbështetës të Rezistencës Iraniane.

Në fjalimin e saj në këtë konferencë, Znj. Rajavi tha se regjimi klerikal e shfrytëzon numrin në rritje të vdekjeve nga COVID-19 për ta paralizuar publikun dhe për të parandaluar kryengritje popullore. Megjithatë, vuri në dukje ajo, populli i Iranit e ka shfaqur tërbimin dhe zemërimin e tij herë pas here gjatë rebelimeve në burgje dhe protestave të punëtorëve, mësuesve, pensionistëve, studentëve, fermerëve, e tregtarëve. Mediat shtetërore e përshkruajnë shoqërinë iraniane si një fuçi baruti që mund të shpërthejë në çdo moment. Populli i Iranit do gjithashtu t’i bojkotojë të ashtu-quajturat zgjedhje të ardhshme presidenciale sepse dëshiron një republikë të lirë e të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Ajo iu referua valës së madhe të të rinjve që i bashkohen lëvizjes së Rezistencës, zgjerimit të Njësive të Rezistencës, dhe progresit në veprimtaritë e tyre në mbarë vendin pavarësisht arrestimeve në shkallë të gjerë, duke shtuar se politika që regjimi përdor për të demonizuar Rezistencën brenda Iranit ka ngecur në vend. Ministri i Inteligjencës i regjimit, i cili përdor metodat e Gestapos, e ka pranuar së fundmi se programet televizive të transmetuara kundër Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK) kanë qenë të financuara dhe të prodhuara nga Ministria e Inteligjencës, vuri në dukje Znj. Rajavi.

Presidentja e zgjedhur e NCRI-së solli në vëmendje verdiktin e dhënë nga një gjykatë në Anversa të Belgjikës, verdikt që konfirmon se komplotin me bombë kundër tubimit të NCRI-së në Francë në qershor të 2018-ës e kishte planifikuar dhe ekzekutuar Ministria e Inteligjencës e regjimit, në bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Jashtme. Znj. Rajavi theksoi se mbijetesa e regjimit mbështetet tek shtypja e popullit nga njëra anë, dhe eksporti i terrorizmit e ndërhyrjet në vendet e Lindjes së Mesme, nga ana tjetër. Ajo nënvizoi se, dy muaj pas fillimit të mandatit të Presidentit të ri amerikan, regjimi ka vazhduar ta shkelë edhe më tej paktin bërthamor, duke vërtetuar kështu se nuk i ka braktisur asnjëherë ambiciet e tij për posedim të armëve bërthamore.