Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)
20 korrik 2020
Maryam Rajavi në Konferencën për Terrorizmin e Regjimit Iranian – 21 korrik 2020
Maryam Rajavi: Terrorizmi është esenca dhe natyra themelore e këtij regjimi dhe është i pandashëm nga ai
Teokracia i fsheh dobësitë thelbësore të një regjimi mesjetar duke eksportuar terrorizmin dhe ekstremizmin. Si rrjedhim, ofrimi i lehtësimeve dhe incentivave vetëm sa i trimëron mullahët dhe intensifikon terrorizmin. E vetmja politikë e drejtë është vendosmëria. Mbyllini ambasadat, misionet, dhe entitetet frontale të regjimit iranian, dëboni agjentët dhe mercenarët e tij që veprojnë nën petkun e gazetarëve, biznesmenëve dhe refugjatëve.
Të hënën më 20 korrik 2020, në ditën e tretë të Samitit Global për Lirinë e Iranit, anëtarët e Mujahedin-e Khalq (MEK/PMOI) në Ashraf-3 zhvilluan një konferencë me titull “Terrorizmi i Regjimit Iranian – Mbyllni Ambasadat e Teheranit, Përjashtoni Agjentët dhe Operativët e Tij” ku mori pjesë edhe Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Ky tubim virtual i transmetuar live mblodhi bashkë qindra figura të shquara politike nga Shtetet e Bashkuara, Europa, dhe Shqipëria.
Në fjalimin e saj, Znj. Rajavi iu referua 450 rasteve të operacioneve terroriste jashtë vendit nga regjimi iranian dhe shtimit të këtyre veprimtarive që nga viti 2003, duke thënë: Regjimi klerikal është një kërcënim për interesat jetësore të popullit iranian si dhe të popujve në mbarë botën. Ndërkohë që kryen shtypje, ekzekutime dhe masakra brenda Iranit, dhe eksporton terrorizmin dhe luftënxitjen në Lindjen e Mesme, regjimi kërkon gjithashtu të prodhojë një armë bërthamore. Ajo shtoi: Terrorizmi është esenca dhe natyra themelore e këtij regjimi dhe është i pandashëm nga ai. … Nëse një ditë regjimi e braktis eksportin e fondamentalizmit dhe terrorizmit jashtë vendit dhe e limiton veten brenda kufijve të Iranit, ai do të shpërthejë përbrenda dhe do të dizintegrohet.”
Znj. Rajavi shtoi se, pas Luftës së Irakut në vitin 2003 dhe pushtimit të fshehtë të atij vendi nga regjimi iranian, filloi epoka e mega-terrorizmit të regjimit. Terrorizmi i regjimit në Afganistan, Jemen, Liban, dhe më shumë se kudo tjetër në Irak e Siri, ka qenë i tmerrshëm. Shpërthimet e bombave në turma të mëdha njerëzish, shkatërrimet e qendrave fetare apo shkollave, vrasjet e ekspertëve dhe shkencëtarëve, grabitjet, amputimet, dhe zhvendosjet e shpërnguljet e detyrueshme të miliona njerëzve kanë ndodhur në magnituda tronditëse.
Znj. Rajavi tha: Dy komplotet terroriste të planifikuara nga regjimi iranian në pranverë dhe verë të 2018-ës kundër Rezistencës Iraniane në Shqipëri dhe Francë janë projektet terroriste më të mëdha të historisë 40-vjeçare të regjimit në Europë. Ato tregojnë se regjimi nuk kursen asnjë lloj krimi për t’u përballur me këtë Rezistencë, të cilën e sheh si një kërcënim ekzistencial; duke shkuar madje deri në pikën që i përdor vetë zyrtarët e tij për të dorëzuar eksplozivët. … demonizimi kundër Rezistencës dhe MEK është ana tjetër e medaljes së terrorizmit të regjimit pasi e përgatit terrenin për këtë terrorizëm.
Znj. Rajavi shtoi: Deri tani, qeveritë perëndimore kanë bërë gabime katastrofike për sa i përket përballjes me terrorizmin e regjimit iranian. Për shembull, ato kanë rënë drejt e në kurthin e regjimit duke pranuar se terrorizmi është shenjë e fuqisë së tij. Por në të vërtetë, ka patur gjithmonë një lidhje direkte mes përshkallëzimit të kryengritjeve dhe intensifikimit të sfidave shoqërore e ekonomike të regjimit nga njëra anë, dhe përdorimit të terrorizmit nga ana tjetër. Në fakt, nuk ka qenë fuqia e regjimit ajo që e ka bërë të mundur zgjerimin e terrorizmit e fondamentalizmit të tij, por ka qenë politika e paqësimit. Mullahët e kanë interpretuar paqësimin e qeverive perëndimore apo faktin që ato e kanë bërë një sy qorr, si shenjë dobësie, që i ka inkurajuar për ta rritur agresionin.
Një tjetër gabim, shpjegoi Znj. Rajavi, ka qenë pritshmëria e gabuar se ndoshta fashizmi fetar do ta braktisë një ditë terrorizmin nëse i bëhen lëshime dhe i jepen incentiva. Ose, ndoshta nga kampi i barbarëve në pushtet do të ketë një shfaqje të papritur të moderuarish, të cilët do ta nxisin regjimin drejt reformimit e moderimit. Regjimi, sigurisht, vuri maska moderimi mbi një tufë vrasësish të urryer, pastaj i kapi të gjitha lehtësimet, e megjithatë refuzoi ta braktiste terrorizmin.
Znj. Rajavi e përshkroi politikën e duhur si qëndresë e vendosmëri, që do të thotë heqja dorë me vendosmëri nga gjithçka që i mundëson veprimtaritë terroriste të regjimit, dhe të përgjigjurit me vendosmëri ndaj çdo plani kriminal. Terrorizmi i regjimit, theksoi ajo, rritet dhe zgjerohet nën hijen e heshtjes, mohimit, shpërfilljes, bërjes së njërit sy qorr. Është koha që gjithë kjo mospërfillje për fatin, sigurinë dhe paqen e popujve të botës të marrë fund.
Pastaj ajo përmblodhi hapat e domosdoshëm që duhet të ndërmerren, duke theksuar mbylljen e ambasadave dhe zyrave përfaqësuese të regjimit, mbylljen e kompanive dhe qendrave kulturore, arsimore dhe fetare të lidhura me regjimin, dhe dëbimin e agjentëve e operativëve të regjimit të cilët funksionojnë nën mbulimin e veprimtarive tregtare, kulturore apo fetare, ose shtiren sikur janë gazetarë apo kundërshtarë, refugjatë, ose qytetarë.
Folës të tjerë në këtë event ishin Kryebashkiaku Giuliani, ish-Sekretar i Sigurisë Kombëtare Tom Ridge, Pandeli Majko ish-Kryeministër i Shqipërisë, ish-Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikën John Rood, ish-Nënsekretari i Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare Robert Joseph, Senator Robert Torricelli, ish-Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Adam Ereli, Anëtarja e Kongresit Sheila Jackson Lee, ish-Kongresmeni Gjykatës Ted Poe, ambasador Marc Ginsberg, Shef i Shtabit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara Gjenerali George Casey, anëtar i rangut të lartë në Dhomën e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe rishikues i legjislacionit për anti-terrorizmin Lord Alex Carlile, Struan Stevenson, ish-President i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Irakun, deputeti britanik Bob Blackman, ish-Ministri i Jashtëm i Jemenit Riad Yassin, Sekretari i Përgjithshëm i Koalicionit Opozitar Sirian Nasr Hariri, kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë dhe ish-Ministër i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Zëvendës Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Edmon Spaho, Sekretarja e Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Shqiptar dhe ish Zëvendës Ministre e Brendshme Elona Gjebrea, si dhe anëtarët e Parlamentit Shqiptar Valentina Leskaj, ish Zëvendës-Kryetare e Parlamentit Shqiptar dhe Zëvendës-Presidente e Asemblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe Grida Duma, Endri Hasa, Orjola Pampuri, Fatbardha Kadiu, dhe ish-deputeti shqiptar Namik Kopliku, si dhe Diana Çuli, shkrimtare e shquar dhe aktiviste për të drejtat e grave në Shqipëri.
20 korrik 2020