Pas 92 seancash dhe 33 muajsh protestash nga iranianët liridashës, një gjykatë në Stokholm, Suedi, dënoi Hamid Noury (Abbasi) me burgim të përjetshëm për rolin e tij në masakrën e 1988-ës per mbi 30,000 të burgosur politikë. Shumica e viktimave të gjenocidit të vitit 1988 ishin anëtarë dhe mbështetës të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).
Zonja Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), përshëndeti vendimin e gjykatës, duke e përshkruar atë si “hapin e parë në rrugën e drejtësisë së plotë” dhe duke shtuar se “drejtësia gjithëpërfshirëse, sigurisht, do të arrihet kur autorët kryesorë të krimit, veçanërisht Ali Khamenei dhe Ebrahim Raisi, dhe autorë të tjerë, të gjykohen në gjykatat e një Irani të lirë ose në gjykatat ndërkombëtare.”
Noury mori pjesë në gjenocidin e vitit 1988 si torturues në burgun e Gohardashtit. Sado trishtuese të ishin, dëshmitë e të mbijetuarve të kësaj masakre apo të familjarëve të viktimave ishin vetëm një pjesë e asaj që ndodhi në të vërtetë në ato ditë të errëta në qindra burgje anembanë Iranit.
Zonja Rajavi theksoi se ndjekja penale e Khameneit dhe Raisi është tani më e domosdoshme se kurrë. Ajo theksoi gjithashtu se qeveria suedeze duhet të urdhërojë menjëherë ndjekjen penale të Raisit, si xhelati i vitit 1988, për gjenocid dhe krim kundër njerëzimit. Më shumë se 1000 të burgosur politikë të torturuar nga regjimi i Khomeinit, më shumë se 900 prej të cilëve janë në Shqipëri, janë gati të paraqesin ankesa, tha ajo. Njëkohësisht me shpalljen e gjykatës, qindra iranianë liridashës, mbështetës të MEK-ut dhe anëtarë të familjeve të dëshmorëve të vitit 1988 mbajtën një tubim, duke festuar këtë fitore, duke shpresuar se zyrtarët e lartë të regjimit, si Raisi dhe Khamenei, do të mbaheshin përgjegjës për dekada të tëra per krime kundër njerëzimit. Duhet të theksohet se mbështetësit e MEK dhe anëtarët e familjeve të viktimave mbajtën një protestë para gjykatës për mbi 33 muaj, duke kërkuar drejtësi për të dashurit e tyre dhe dhjetëra mijëra viktima të regjimit iranian.