Saturday, January 28, 2023

Agjencia e Sigurisë e Gjermanisë: Regjimi Iranian Vazhdon të Marrë në Shënjestër Disidentë Jashtë Vendit, Veçanërisht MEK-un

 

Departamenti Gjerman për Mbrojtjen e Kushtetutës

Departamenti Gjerman për Mbrojtjen e Kushtetutës, BundesamtfürVerfassungsschutz (BfV), në raportin e tij më të fundit vjetor ka vënë në dukje se regjimi iranian vazhdon t’i spiunojë e t’i shtypë disidentët iranianë, veçanërisht ata që janë të lidhur me Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI / MEK) brenda dhe jashtë Iranit.

Faqja në internet e Departamentit për Mbrojtjen e Kushtetutës publikoi të premten raportin e tij për 2019-ën. Në këtë raport theksohet: “Ashtu si në të shkuarën, shërbimet iraniane të inteligjencës vazhdojnë t’i spiunojnë e t’i shtypin lëvizjet dhe aktorët opozitarë brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, këto shërbime mbledhin informata politike, ushtarake, industriale dhe shkencore në vendet perëndimore. Organizata kryesore që qëndron prapa veprimtarive me në shënjestër Gjermaninë vazhdon të jetë Ministria e Inteligjencës (VAJA, zakonisht me shkurtimin MOIS). Krahas MOIS, Forca Quds, një njësi speciale inteligjence e Gardës Revolucionare të Iranit, është gjithashtu aktive në Gjermani.”

Duke iu referuar komplotit të dështuar me bombë të regjimit iranian kundër tubimit të përvitshëm “Irani i Lirë” të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit më 30 qershor 2018 në Paris, dhe arrestimit të mëpasshëm të të ashtu-quajturit “diplomat” të regjimit, Asadollah Assadi, raporti lexon: “Siç është raportuar në Raportin Vjetor të 2018-ës mbi Mbrojtjen e Kushtetutës, më 1 korrik 2018, një diplomat i Ambasadës Iraniane në Vienë u arrestua në Gjermani me një urdhër arresti europian të lëshuar nga autoritetet belge të zbatimit të ligjit. Ky diplomat, që dyshohet si agjent i MOIS, akuzohet për organizimin e një sulmi me bombë të planifikuar kundër një tubimi të përvitshëm në Francë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK, Mujahedeen-e-Khalq) në Villepinte, pranë Parisit, më 30 qershor 2018. Diplomati iranian mendohet se ka rekrutuar një çift belg me origjinë iraniane si agjentë për të kryer sulmin me bombë. I dyshuari u ekstradua në Belgjikë në fillim të tetorit 2018.”

“Si përgjigje ndaj këtij sulmi të planifikuar, më 8 janar 2019, BE përfshiu në listën terroriste një divizion të MOIS, diplomatin iranian të akuzuar për organizimin e sulmit, dhe një ish zëvendës ministër të MOIS. Në vendimin e tij, Këshilli i Punëve të Jashtme deklaroi se personat dhe agjencitë e sipër-përmendura kanë qenë të përfshira në veprimtari terroriste,” lexon raporti.

Duke iu referuar rolit aktiv të kompanisë ajrore Mahan Air – e lidhur me Gardën Revolucionare (IRGC) – në transferimin e armëve drejt Sirisë dhe etiketimit të saj të mëpasshëm për pjesëmarrje në terrorizëm, raporti shton: “Gjithashtu, më 21 janar 2019, Qeveria Federale pezulloi liçensën e kompanisë ajrore iraniane Mahan Air për të bërë fluturime drejt Gjermanisë dhe nga Gjermania. Kjo masë ishte një përgjigje ndaj operacioneve të kësaj kompanie ajrore në zonën e luftës në Siri dhe ndaj veprimtarive iraniane të spiunazhit.”

Në një pjesë tjetër, ky raport i referohet veprimtarive të vazhdueshme kibernetike të regjimit kundër NCRI dhe MEK. “Potenciali i Iranit për të kryer operacione kibernetike është rritur në mënyrë të konsiderueshme vitet e fundit, duke çuar në shtim të veprimtarive të hacker-ave iranianë kundër shënjestrave brenda dhe jashtë vendit. Shënjestrat kryesore janë në administratë dhe qeveri, biznese, shkencë dhe studim, si dhe grupet disidente e opozitare,” lexon raporti.

Departamenti gjerman për Mbrojtjen e Kushtetutës ka paralajmëruar vazhdimisht për veprimtaritë e spiunazhit të shërbimeve sekrete të regjimit iranian kundër disidentëve dhe grupeve opozitare iraniane. MEK dhe NCRI janë viktimat kryesore të këtyre sulmeve.

Ky raport konfirmon edhe një herë thënien e Rezistencës Iraniane se e vetmja mënyrë për ta ndaluar fenomenin e lig të terrorizmit, i cili udhëhiqet nga regjimi iranian, në Gjermani, është mbyllja e ambasadës së regjimit iranian në këtë vend. Kjo ambasadë është një qendër për përhapjen e terrorizmit dhe fondamentalizmit islamik. Agjentët dhe spiunët e regjimit iranian duhet të dëbohen nga Gjermania.