Friday, March 29, 2024

Si e Shfrytëzojnë Mullahët COVID-19-ën për të Parandaluar Protesta Madhore në Iran

Shpërthimi i Koronavirusit në Iran

Zhvillimi i provimeve universitare, planifikimi për të mbajtur ceremoni zie në Muharram, detyrimi i njerëzve për t’iu rikthyer punës në mesin e krizës së COVID-19, dhe fshehja sistematike e fakteve lidhur me këtë krizë, janë pjesë të planit të regjimit iranian për ta përdorur pandeminë e koronavirusit për të parandaluar një kryengritje, duke parandaluar kështu përmbysjen e tij.

Regjimi ka zhvilluar provimet e pranimit në universitete, pa implementuar as masat parandaluese bazë apo protokollet e shëndetit. Lidhur me këtë, Minoo Mohraz, anëtare e Taskforcës Kombëtare për Luftimin e Koronavirusit, tha më 19 gusht për të përditshmen shtetërore Hamshari: “Ne sugjeruam që t’i shtynim provimet e pranimit derisa të përmirësohej moti, në mënyrë që provimet të bëheshin në ambiente të jashtme. Por Ministria e Shëndetësisë u detyrua të shkruante një protokoll. Kush do ta implementojë atë? Provimi i pranimit është një grumbullim dhe unë, si eksperte, them se nuk duhet të mbahet në ambiente të brendshme.”

Regjimi i ka zhvilluar këto provime ndërkohë që numri i vdekjeve nga COVID-19 po rritet me shpejtësi, madje edhe sipas vetë statistikave të regjimit, të cilat shënojnë mbi 20,000 vdekje. Ndërkohë, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEKka shpallur të premten se numri i vdekjeve nga koronavirusi në 394 qytete të Iranit e ka kaluar shifrën 92,300.