Monday, February 6, 2023

Protestuesi i burgosur Amir Hossein Moradi në gjendje kritike në burgun e Teheranit

Detained protester Amir Hossein Moradi in critical condition in Tehran Prison

Një djalë i ri i arrestuar gjatë protestave në Teheran në 2019-ën është në gjendje kritike, sipas një të burgosuri tjetër politik i cili aktualisht është në lirim të përkohshëm nga Burgu i Teheranit të Madh. Hossein Qashqaei shkroi në një postim në Twitter më 16 gusht se, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes, autoritetet e burgut refuzojnë ta lirojnë të burgosurin politik Amir Hossein Moradi.

Qashqaei tha se Amir Hossein Moradi nuk mund t’i përballojë kushtet e burgut dhe se zyrtarët e burgut refuzojnë t’ia japin ilaçet, pavarësisht sëmundjeve të tij.

Sipas Qashqaei, Moradi ishte në gjendje kritike kur u kthye nga departamenti i inteligjencës dhe nuk rrinte dot më këmbë, vuante rëndë nga të vjellat dhe temperatura, dhe kishte rënë në peshë.

Qashqaei shkruan në postimet e tij se Amir Hossein Moradi-n e kanë fyer dhe e kanë trajtuar me përbuzje në departamentin e inteligjencës, si dhe nuk ia kanë dhënë ilaçet që i nevojiten aq shumë. Nuk e kanë lejuar të bëjë dush për dy javë pavarësisht kushteve jo-higjienike.

“Sëmundja e lëkurës i është përkeqësuar përsëri dhe ka dhimbje në të gjithë trupin,” shkruan Qashqaei.

I burgosuri politik thotë se ka qëndruar me Moradi-n, i cili nuk mundte as të gëlltiste ujin, ditë e natë derisa e transferuan në spital.

Sipas nënës së tij, gjendja e tij është përkeqësuar edhe më shumë sesa më përpara në spital.

“Nëna e tij thotë se gjendja e tij është edhe më e keqe sesa kur unë isha me të. Nuk mund ta imagjinoj se si mund të jetë edhe më keq se më përpara dhe se çfarë mund të jetë duke përjetuar,” thotë shoku i tij.

“Nëna e tij thotë se Amir Hossein e ka humbur shpresën dhe për këtë arsye nuk po i funksionon trajtimi. Pse e mbajnë në burg kur ai vuan nga kjo sëmundje?” shkruan ai.

I burgosuri politik Amir Hossein Moradi fillimisht ishte dënuar me vdekje për pjesëmarrje në protestat e 2019-ës në Teheran. Dënimi me vdekje nuk u miratua nga Gjykata Supreme. Pak javë më parë thuhej se atij dhe dy të burgosurve të tjerë u ishte dhënë amnisti. Por raportet tregojnë se ai është dënuar me 25 vite burg. I burgosuri politik Hossein Qashqaei është dënuar me 2 vite burg për veprimtaritë e tij në rrjetet sociale. Babai i tij, Mohammad Moradi, ka kryer vetëvrasje dhe ka ndërruar jetë në shtator 2020.