Saturday, July 27, 2024

Presidenti i Regjimit të Iranit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB do të Promovojë Terrorizmin

Presidenti i Iranit Seyyed Ebrahim Raisi flet në një regjistrim për Asamblenë e Përgjithshme të OKB. EFE/EPA/TIMOTHY A. CLARY / POOL

Në fillim të këtij muaji, u raportua se presidentit të regjimit iranian Ebrahim Raisi me shumë mundësi do t’i jepej viza për të vizituar Nju Jorkun për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ky lajm u pasua shpejt nga zbulimi i një aktakuze në mungesë për një operativ iranian që kishte komplotuar për vrasjen e ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA, John Bolton, dhe ish-sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo. Kjo, nga ana tjetër, u pasua nga një sulm ndaj shkrimtarit Salman Rushdie në Nju Jorkun Perëndimor, gjë që shërbeu si një kujtesë për fetvanë që Ruhollah Khomeini, udhëheqësi i parë suprem i regjimit iranian, pati shpallur për vdekjen e Rushdie në 1989.

Tridhjetë e tre vjet pas lëshimit të asaj fetvaje, kërcënimi i ekstremizmit dhe aktivitetit terrorist të mbështetur nga Irani mbetet po aq i përhapur sa gjithmonë. Incidentet e fundit e nënvizojnë këtë fakt, duke vënë në pah edhe rolin që Raisi ka pasur në përforcimin e këtij kërcënimi që kur u vendos në atë pozicion në qershor të vitit të kaluar. Shumë persona me njohuri për çështjet iraniane nuk vonuan të paralajmëronin për ndikimin që Raisi do të ketë në të gjitha aktivitetet keqdashëse të regjimit, por pati shumë pak përgjigje ndaj këtyre paralajmërimeve nga udhëheqja e Shteteve të Bashkuara apo e Bashkimit Evropian në atë kohë.

Pjesëmarrja e mundshme e Raisit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së tregon që politikëbërësit perëndimorë ende nuk po i marrin seriozisht këto paralajmërime, edhe pse ato vazhdojnë të vërtetohen nga zhvillimet brenda Iranit.