Wednesday, February 1, 2023

Përmbledhje e Shkeljeve të të Drejtave Njerëzore nga Irani në 2020-ën

 

Gjatë vitit 2020, populli i Iranit është përballur me një rritje të shkeljeve të të drejtave njerëzore në forma të ndryshme nga regjimi klerikal. Më poshtë vijon një përmbledhje e abuzimeve ndaj të drejtave njerëzore në 2020-ën, në Iran.

Protestat dhe shkeljet e të drejtave njerëzore nga regjimi

Dy muaj pas protestave të mëdha të nëntorit 2019, iranianët u derdhën edhe një herë nëpër rrugë. Protestat shpërthyen më 11 janar kur zyrtarët e regjimit e pranuan se kishin rrëzuar një avion pasagjerësh më 8 janar, duke i vrarë të 176 pasagjerët e anëtarët e ekuipazhit.

Protestuesit e identifikuan regjimin në tërësi si fajtor për këtë incident tragjik. Ata thirrën sërish me slloganet e protestave të nëntorit, si “vdekje diktatorit.”

Regjimi u përgjigj me një shtypje brutale, duke arrestuar dhjetëra njerëz e duke i rrahur protestuesit nëpër rrugë.

Në një deklaratë më 15 janar, Amnesty International shkruante: “Provat tregojnë se më 11 dhe 12 janar, forcat e sigurisë kanë qëlluar me saçme me majë nga pushkë me ajër të ngjeshur, të cilat zakonisht përdoren për gjueti, në drejtim të protestuesve paqësorë, duke shkaktuar gjakosje dhe plagë të dhimbshme. Forcat e sigurisë kanë përdorur gjithashtu plumba gome dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, si dhe i kanë goditur ata me grushta e shqelma, i kanë rrahur me shkopinj e kanë bërë arrestime arbitrare.”

Pandemia e Covid-19

Ndryshe nga qeveritë e tjera, regjimi iranian, duke përfshirë Liderin Suprem Ali Khamenei, e ka quajtur virusin vdekjeprurës Covid-19 si një bekim dhe sprovë. Që kur virusi hyri në Iran, regjimi është përpjekur ta fshehë krizën.

Autoritetet kanë shpallur se Covid-19 ka mbërritur në Iran më 19 shkurt. Por dokumentet e “Organizatës Kombëtare të Emergjencave” të Iranit, të siguruara nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), tregojnë se virusi kishte qenë i pranishëm në Iran që në janar 2020.

Krahas shfrytëzimit të krizës së Covid-19 dhe shtimit të viktimave për shkak të mosveprimit, regjimi nisi gjithashtu një fushatë “derë më derë,” gjoja për t’i “ndarë njerëzit e infektuar” nga të tjerët. Ky plan, i vënë në jetë nga Garda represive Revolucionare (IRGC), ishte një masë e dëshpëruar për ta shtypur edhe më tej shoqërinë.

Mosveprimi i qëllimshëm dhe keqmenaxhimi i pandemisë nga ana e regjimit ka rezultuar në mbi 195,000 viktima, sipas raporteve të mbledhura nga opozita kryesore e Iranit, Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK).