Ndalojini ekzekutimet në Iran
Regjimi iranian ekzekutoi një grua dhe tre burra të martën. Më parë, më 5 gusht, është ekzekutuar Mostafa Salehi, i cili ishte arrestuar gjatë protestave të mëdha të 2018-ës në Iran. Ekzekutimet e pandalura dhe shkeljet e të drejtave njerëzore që kryhen nga mullahët do të vazhdojnë për sa kohë që ata të gëzojnë pandëshkueshmëri lidhur me masakrën e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë.
Që kur mori pushtetin në 1979-ën, regjimi iranian nisi shtypjen ndaj çdo zëri disident. Me fjalë të tjera, ekzekutimet në Iran janë një mjet politik që u shërben mullahëve për të ruajtur pushtetin. Qëllimi i Drejtësisë së regjimit, ndryshe nga vendet e tjera, është t’i forcojë edhe më shumë themelet e regjimit. Me qindra avokatë të burgosur, si për shembull Nasrin Sotudeh, nuk ekziston një “qendër e vërtetë avokatësh të pavarur” apo një sistem mbrojtjeje.
Pavarësisht veprimtarive të tyre paqësore, dhjetëra mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) janë ekzekutuar mes viteve 1979 dhe 1981. Njëkohësisht me fillimin e rezistencës së organizuar kundër regjimit, regjimi i mullahëve nisi një spastrim politik me qëllimin për ta ruajtur pushtetin e vet dhe për ta qetësuar shoqërinë e trazuar iraniane.
Kështu, 30,000 të burgosur të pafajshëm u ekzekutuan vetëm pse i kishin ruajtur idetë e tyre, edhe pse të gjithë ishin gjykuar më përpara nga Drejtësia e regjimit dhe ishin dënuar me burgim. Të ashtu-quajturat “komisione të vdekjes,” të cilat ishin përgjegjëse për dërgimin e të burgosurve tek trekëmbëshi, bënin thjesht një pyetje: Për çfarë akuzoheni? Nëse personi përgjigjej “MEK” apo “mbështetës i MEK,” apo fjalën “Mojahed” fati i tij apo i saj ishte i vulosur.
Lidhur me këtë, Amnesty International ka listuar disa nga pyetjet që bënin “komisionet e vdekjes” në llogarinë e saj në Twitter në gjuhën Farsi: “A je gati t’i refuzosh “hipokritët” [termi që përdorin mullahët për MEK] dhe udhëheqësit e tyre?
A je gati të shkelësh në një fushë të minuar për t’i ndihmuar forcat ushtarake të Republikës Islamike?
A je i gatshëm t’u bashkohesh skuadrave të ekzekutimit?”
Përgjigjja ‘jo’ ndaj këtyre pyetjeve rezultonte gjithashtu në ekzekutim.