Thursday, March 28, 2024

Mosveprimi nga Ana e BE-së e Ka Nxitur Regjimin Iranian të Vazhdojë me Shkeljet e të Drejtave Njerëzore

 

Të shtunën, regjimi klerikal i Iranit ekzekutoi Ruhollah Zam-in, një rezident europian. Franca, Gjermania, dhe disa vende të tjera e kanë dënuar këtë ekzekutim. Si përgjigje, regjimi i ka thirrur ambasadorët e këtyre vendeve në Teheran. Çfarë e ka nxitur regjimin e mullahëve ta bëjë këtë?
Shkurtimisht, politika e paqësimit e Bashkimit Europian i ka trimëruar mullahët që jo vetëm të vazhdojnë me shkeljet e të drejtave njerëzore, por edhe të shfaqin reagime ekstreme për kundërshtimin më të vogël ndaj sjelljeve të tyre barbare.

Më 7 dhjetor, ministrat e jashtëm të BE-së miratuan “regjimin global të sanksioneve për të drejtat njerëzore,” duke marrë në shënjestër ata që janë përgjegjës për shkelje të rënda të të drejtave njerëzore. Një javë pas miratimit të këtij regjimi sanksionesh, kreu i politikës së jashtme në BE, Josep Borrell, do të zhvillonte Forumin e Biznesit Europë-Iran. Ishte planifikuar që ai të mbante një fjalim të përbashkët në këtë event me Ministrin e Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif, ministria e të cilit ka mbrojtur shkeljen më të fundit të të drejtave të njeriut duke thirrur ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Teheran.

Edhe pse ky forum u anullua në momentin e fundit për shkak të ekzekutimit të Ruhollah Zam, ishte e gabuar qoftë edhe të planifikohej një event i tillë. Shkeljet e të drejtave njerëzore nga Irani nuk janë të kufizuara vetëm tek ky ekzekutim i ditëve të fundit. Dhe kjo nuk është hera e parë që Zarif dhe ministria e tij mbështesin shkeljet e të drejtave njerëzore dhe përpiqen t’i justifikojnë krimet e regjimit.

Çfarë mesazhi mund t’i dërgojë regjimit zhvillimi i eventeve të tilla, përveçse ta nxisë të vazhdojë me shkeljet e të drejtave njerëzore dhe se BE e vendos ekonominë përpara vlerave humanitare?

Franca, ku banonte Zam, dhe BE e kanë dënuar ekzekutimin e tij. Por një dënim i thjeshtë me fjalë, pas kryerjes së veprës, pa asnjë veprim deciziv përpara ekzekutimit, nuk ka asnjë efekt.

Mosveprimi nga ana e komunitetit ndërkombëtar përkundrejt shkeljeve të të drejtave njerëzore në Iran, që ka nisur që në vitet 1980, e ka trimëruar regjimin që të vazhdojë me abuzimet ndaj të drejtave të njeriut.