Wednesday, February 1, 2023

Mediat Shtetërore: Pse Vonon Irani në Sigurimin e Vaksinës së COVID-19?

 

Ndryshe nga vendet e tjera, populli i Iranit nuk po e merr vaksinën e Covid-19, pavarësisht numrit të lartë të vdekjeve.

Teherani fajëson sanksionet e Shteteve të Bashkuara për vonesën në blerjen e vaksinave. Ndërkohë që brenda Iranit, regjimi flet për prodhimin e një “vaksine të vendit.”

Atëherë, cili është problemi i vërtetë? Po t’i hedhësh një sy mediave shtetërore, e kupton më mirë çështjen.

“Ndryshe nga vendet e tjera, të cilat janë vënë në rradhë për të blerë vaksina, Irani ka marrë një vendim tjetër. Në javët e mëparshme, [autoritetet] kanë bërë komente kontradiktore lidhur me problemet që bllokojnë rrugën drejt blerjes së vaksinave. Duke përfshirë, ‘mungesën e burimeve të mjaftueshme të valutës së huaj,’ ‘mungesën e mundësisë për transfertën e monedhës,’ ‘sanksionet,’ ‘mungesën e mundësisë për transportimin e duhur,’ etj.,” shkruan e përditshmja shtetërore Mardom Salari të mërkurën.

“Edhe pse autoritetet iraniane, që nga Guvernatori i Bankës Qendrore, zyrtarët e qeverisë, e deri tek Presidenti dhe Ministri i Shëndetësisë, i kishin siguruar njerëzit që do të blinin një vaksinë përfundimtare dhe të efektshme nga çfarëdo vendi; ata e kanë ndryshuar me sa duket opinionin e tyre duke anuar nga fakti që vendi nuk ka nevojë për vaksina të huaja,” shton Mardom Salari.

“Përqasja e autoriteteve e ka bërë popullin ta vërë në dyshim vendosmërinë e tyre për çrrënjosjen e koronavirusit. Ngaqë zyrtarët i kanë harruar të gjitha premtimet e tyre lidhur me marrjen e vaksinës dhe tani u janë kthyer perceptimeve politike të kësaj çështjeje, ata kanë ndërmend të arrijnë qëllime të tjera duke ua vënë fajin sanksioneve,” vazhdon artikulli i Mardom Salari.