Shkruar nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI)
23 maj 2020
Ndërkohë që edhe vetë Ministria e Shëndetësisë e regjimit deklaron se nuk ka asnjë provincë të pastër nga virusi dhe se shumica e qendrave të provincave janë në gjendje të kuqe, sot Rouhani, duke iu drejtuar Taskforcës Kombëtare për Luftimin e Koronavirusit (NCCT), shpalli: “Duke nisur nga 31 maji, të gjithë punonjësit e zyrave duhet t’i rikthehen punës dhe kufizimet e mëparshme do të hiqen.” “Vendet e shenjta dhe të lutjeve … do të hapen që nga dita pas Fitër Bajramit, duke zbatuar udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë,” shtoi ai. I zemëruar nga ekspozimi i të vërtetës së tragjedisë së koronavirusit në Iran, Rouhani tha: “Ka disa që po përpiqen t’i frikësojnë njerëzit lidhur me sëmundjen e koronavirusit, nuk duhet ta tolerojmë këtë.”
Por Ministri i Shëndetësisë, duke folur për të përditshmen shtetërore Hamshahri, tha sot: “Po shohim shpërthime të reja të sëmundjes në provincat tropikale … Në Khuzestan, gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Kemi folur me zyrtarët në provincat pranë Khuzestan-it, konkretisht Chahar Mahal dhe Bakhtiari, Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad, dhe u kemi dhënë paralajmërimet e nevojshme për shpërthimin e ri. Kemi parë raste në Sistan dhe Baluchestan, në fshatin Najafabad Khash, të cilat kanë ngritur alarmin për ne.”
Duke folur për agjencinë shtetërore Mowj, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë tha sot: “Situata në provincën Khuzestan është ende e kuqe.” Ai la të kuptohej se statistikat janë të sajuara, duke thënë: “Numri i pacientëve është shumë më i lartë se një përqind e popullsisë … duhet të bëhen më shumë eksperimente shkencore. Nuk janë bërë ende studime të tilla në Iran. Megjithatë, duket se, siç ka thënë Ministri, numri i pacientëve nuk ka arritur në 10 përqind të popullsisë.”
Pra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i vërtetë i të infektuarve është “shumë më i lartë” sesa 850,000, por nuk ka arritur në 8.5 milion dhe është diku midis këtyre dy shifrave. Ndërkohë, sot, i njëjti zëdhënës e shpalli numrin e të infektuarve si 133,521. Me fjalë të tjera, statistikat e fabrikuara që publikohen janë 6.5 deri në 65 herë më të ulëta sesa shifrat e vërteta. Regjimi është shumë i fshehtë dhe dëshiron t’i mbajë njerëzit të hutuar.
Guvernatori i Lorestan, Seyed Mousa Khademi, tha sot për agjencinë e lajmeve Mehr: “Kemi çdo ditë rritje në numrin e të infektuarve në disa qytete… Aktualisht në Borujerd dhe Delfan nuk kemi marrë raporte të mira. Numri i të infektuarve në këto qytete është relativisht më i lartë.”
Dekani i Universitetit të Shkencave Mjekësore në Jiroft të provincës Kerman tha sot për televizionin shtetëror: “Me rritjen e numrit të të infektuarve në pjesën jugore të provincës Kerman, kjo zonë po i afrohet gjendjes së kuqe.”