Iran: Dënohen Botërisht Shkeljet e Vazhdueshme të të Drejtave Njerëzore nga Regjimi në Mesin e Krizës së Koronavirusit

763

23 prill 2020

Worldwide condemnation of the Iranian regime’s ongoing human rights violationsShkeljet e vazhdueshme të të drejtave njerëzore nga regjimi iranian, veçanërisht ekzekutimi i minorenëve dhe të burgosurve të tjerë ditët e fundit, dhe mos-lirimi i të burgosurve në mesin e përhapjes së koronavirusit, janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet të mërkurën dënoi ekzekutimin e Shayan Saeedpour, që ishte ekzekutimi i dytë i një kundërvajtësi minoren në ditët e fundit nga autoritetet iraniane. Z. Saeedpour ishte riarrestuar pasi kishte marrë pjesë në një kryengritje në burgun e Saqqez kundër kushteve të burgut në mesin e krizës së koronavirusit. Përpara Shayan-it, më 18 prill, u raportua se ishte ekzekutuar edhe Majid Esmailzadeh në burgun e Ardabil në provincën Ardabil. Ai ishte arrestuar në vitin 2012 dhe ishte dënuar për një vrasje që supozohet se e ka kryer kur ka qenë nën moshën 18 vjeç. Gjithashtu, dënimi me vdekje për Danial Zeinolabedini-n, i cili ishte dënuar pavarësisht faktit që kishte qenë nën 18 vjeç në kohën e kryerjes së krimit, u miratua më 2 prill pasi u rrah nga zyrtarët e burgut Miandoab në provincën e Azerbaixhanit Perëndimor. Ai ishte transferuar atje së bashku me të burgosur të tjerë që kishin ngritur krye në burgun Mahabad më 28 mars në protestë ndaj kushteve të burgut dhe faktit që autoritetet nuk i kishin liruar ata përkohësisht për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

“Ekzekutimi i këtyre dy kundërvajtësve fëmijë është absolutisht i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Organe e ekspertë të shumtë të Kombeve të Bashkuara e kanë bërë të qartë në shumë raste se dhënia e dënimit me vdekje për krime të kryera nga njerëz që kanë qenë nën moshën 18 vjeç në kohën e krimit është rreptësisht e ndaluar,” tha Komisionerja e Lartë.

“Pavarësisht ndërhyrjeve dhe angazhimit të shpeshtë nga Zyra ime me Qeverinë e Iranit lidhur me këtë çështje, dënimet dhe ekzekutimet e kundërvajtësve fëmijë vazhdojnë. Kjo është një gjë për të ardhur keq dhe e dënueshme, nisur nga paligjshmëria e qartë e këtyre veprimeve. E përsëris thirrjen time drejtuar autoriteteve iraniane që t’i përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut, t’i ndalin menjëherë të gjitha ekzekutimet e kundërvajtësve minorenë dhe t’i ulin të gjitha dënimet e tilla me vdekje në dënime më të lehta,” shtoi ajo, duke iu referuar faktit që regjimi i mullahëve i ka shpërfillur kritikat ndërkombëtare dhe thirrjet për t’i dhënë fund shkeljeve të të drejtave njerëzore.

“Fakti që dy nga këta kundërvajtës fëmijë që kanë humbur jetën gjatë tre javëve të fundit kanë qenë të përfshirë në protesta të nxitura nga frika e përhapjes së COVID-19 në burgje ngre shqetësim të madh për mundësinë e ekzekutimeve të përshpejtuara për të burgosur të tjerë të dënuar me vdekje të cilët kanë qenë të përfshirë në këto protesta,” tha Bachelet.

Në një tjetër zhvillim, të mërkurën më 22 prill, regjimi iranian vari të paktën 11 të burgosur në burgjet Gohardasht, Kermanshah, Sanandaj dhe Dastgerd (Isfahan).

Duke iu referuar abuzimeve të vazhdueshme të të drejtave të njeriut nga regjimi i mullahëve, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), theksoi se regjimi nuk ka sjellë gjë tjetër për Iranin dhe iranianët veçse shtypje, ekzekutime, varfëri, dhe korrupsion. Ajo tha se, në mënyrë që ta frikësojë dhe terrorizojë publikun dhe ta marrë nën kontroll situatën në mesin e katastrofës së koronavirusit, regjimi po i ekzekuton të burgosurit në vend që t’i lirojë ata.

Znj. Rajavi i bëri thirrje edhe një herë komunitetit ndërkombëtar, sidomos Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit të të Drejtave të Njeriut, si dhe Raportuesve të OKB-së për të Drejtat Njerëzore e organizatave të tjera të të drejtave njerëzore që të ndërhyjnë menjëherë për t’i ndalur ekzekutimet, për të siguruar lirimin e të burgosurve, dhe për të parandaluar një katastrofë humanitare në burgjet e regjimit.

Siç ka thënë Znj. Rajavi: “Sot, jo vetëm liria e popullit të Iranit, por vetë jeta e shëndeti i tij, si dhe ekonomia e ekzistenca e vendit varen nga përmbysja e regjimit klerikal.”