Wednesday, February 1, 2023

Iran: Bashkë-Kryetarët e Kaukusit Bipartizan Amerikan të Kongresit për të Drejtat Njerëzore dhe Demokracinë në Iran i Shkruajnë Presidentit Amerikan që të Udhëheqë një Hetim Ndërkombëtar mbi Përfshirjen e Ebrahim Raisi-t në Masakrën e 1988-ës

12 korrik 2021

Presidentit Joseph R. Biden
Shtëpia e Bardhë
1600 Pennsylvania Avenue NW
Washington, DC 20500

I nderuar President Biden,
Ju shkruajmë për t’ju informuar në lidhje me shqetësimet tona për sa i përket historikut mizor të dhunimeve të të drejtave njerëzore nga Ebrahim Raisi dhe ju kërkojmë të udhëhiqni një hetim ndërkombëtar mbi përfshirjen e tij në krime kundër njerëzimit. Në periudhën para zgjedhjeve të fundit për presidentin e ri të Iranit, shumë iranianë kanë protestuar kundër këtyre zgjedhjeve të padrejta në formën e një bojkoti. Si rezultat, shifra zyrtare e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet e 18 qershorit 2021 ishte vetëm 48.8%, më e ulëta në Republikën Islamike të Iranit që nga themelimi i saj në vitin 1979. Pavarësisht kësaj shprehjeje të qartë mosmiratimi nga ana e popullit iranian, regjimi klerikal e përzgjodhi Ebrahim Raisi-n si presidentin e vet të ardhshëm.
Presidenti Ebrahim Raisi është një ithtar famëkeq i cili ka kryer dhunime tronditëse të të drejtave njerëzore kundër opozitarëve politikë, gazetarëve, dhe kujtdo tjetër që ka guxuar ta kundërshtojë. Raisi ka shërbyer në pushtetin gjyqësor të vendit, që është një nga aktorët kyç të represionit në Iran, për më shumë se tre dekada. Sipas Amnesty International (AI), Human Rights Watch, dokumenteve të vërtetuara, dhe shumë zyrtarëve të OKB për të drejtat njerëzore, Raisi ka qenë pjesë e komisionit me katër anëtarë përgjegjës për masakrën e 1988-ës ku u vranë 30,000 të burgosur politikë, shumica të lidhur me lëvizjen opozitare iraniane, Mujahedin-e-Khalq (MEK/PMOI). AI ka deklaruar, “Se ngritja e Ebrahim Raisi-t në postin e presidentit në vend që ai të hetohet për krimet e vrasjes, zhdukjes së detyruar dhe torturës kundër njerëzimit, është një kujtesë e zymtë e faktit që pandëshkueshmëria mbretëron në Iran.”
Në Kongresin e 117-të, anëtarët e Kaukusit për të Drejtat Njerëzore dhe Demokracinë në Iran (IHRDC), së bashku me mbi 240 anëtarë bipartizanë të Dhomës së Përfaqësuesve, bashkë-sponsorizuan rezolutën H. Res. 118, e cila përsërit thirrjen e Kombeve të Bashkuara ndaj komunitetit ndërkombëtar që të veprojë dhe nxit Shtetet e Bashkuara që të përfshihen në organizimin e një hetimi ndërkombëtar mbi vrasjet pa gjyq të disidentëve iranianë në 1988-ën. Kjo rezolutë thekson se kjo shumicë dërrmuese e Dhomës së Përfaqësuesve i qëndron përkrah popullit iranian dhe betejës së tij për të themeluar një Republikë demokratike, laike, dhe jo-bërthamore të Iranit.
Ju falenderojmë për konsideratën tuaj dhe shpresojmë të punojmë me Administratën tuaj për ta përballur Ebrahim Raisi-n me drejtësisë përpara gjyqeve ndërkombëtare.

Me respekt,

Steve Cohen
Anëtar i Kongresit

Tom McClintock
Anëtar i Kongresit